Histori të Verteta

Në Qëndrën e Shërbimit Ligjor Falas Tiranë (TLAS) trokiti një burrë rreth të tridhjetave, që nuk mund të fliste, por lëshonte vetëm tinguj. Ishte edhe shumë i gjymtuar fizikisht, me duart pothuajse të palevizëshme dhe ecte me vështirësi, duke tërhequr këmbët. Të komunikoje me të nuk ishte e thjeshtë, u desh njëfarë kohe, me disa pyetje për të mundësuar përgjigjet e tij përmes tundjes mohuese apo pohuese të kokës. Nga fytyra nuk i ndahej një buzëqeshje e ëmbël, sytë e tij përgjigjeshin me kënaqësi dhe mirënjohje, sa herë që kuptonim atë cka ai donte të thoshte.
Kishte pashaportën me vete dhe ai ishte E.E. Kishte dhe disa dokumenta zyrtare, të shkruara në greqisht, të cilat këmbëngulte që ne t’i lexonim dhe të zbulonim përmbajtjen e tyre.

1. Pranimi dhe cfarë u mësua përmes intervistës së aplikantit:

E.E u regjistrua dhe pranua si klient i TLAS.
Ju kërkua kontakti i një familjari.
Ju premtua që problemi i tij do të zgjidhej nga TLAS.
Si dhe shpenzimet e për vazhdimësinë e cështhjes do të mbuloheshin nga TLAS.

Dokumentat në greqisht u përkthyem dhe u noterizuan. Nga ato u mësua se E.E kishte pësuar aksident të rëndë automibilistik në shtetin fqinj, Greqi. Dokumenti ishte një kërkesë nga një klinikë mjeksore e burgut në Greqi, që i drejtohej Institucionit të Policisë dhe Prokurorisë së asaj zone dhe për dijeni Ministrisë së Drejtësisë, për transportimin urgjent të të burgosurit E.E. për kurim të specializuar. Në dokument përcaktohej edhe diagnoza e sëmundjes dhe lloji i mjekimit të filluar.

Nga intervista doli se E.E kishte kaluar kufirin grek në mënyrë të paligjshme për të gjetur punë. Pas aksidentit dhe mjekimit që i shpëtoi jetën duke e lënë të gjymtuar, ishte përcjellë në Shqipëri nga autoritetet greke. Ishte fare i vetëm, jetonte në Tiranë, flinte rrugëve, mbante me vehte një qese me pak sende personale. Familja e tij (nëna, babai, motra, vëllezërit dhe vajza) vazhdonin të jetonin prej vitesh në Greqi.

1/a. Shërbimet që u ofruan nga TLAS për klientin E.E.:

  • Të dhënat e pashaportës për të ndërmjetësuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjëndjes Civile, pranë Ministrisë së Brendshme.
  •  U kërkua në database-in e Regjistrit Kombëtar të Gjëndjes Civile dhe u gjet se E.E ishte banor në Njësinë Bashkiake Nr.x të Tiranës.
  • Filloi proceduara për mbledhjen e dokumentacionit të nevojshëm për t’ju drejtuar Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP) për të përfituar statusin e invaliditetit dhe të ndihmës ekonomike.
  • U Përgatit një letër e detajuar sqaruese për punonjëset e zyrës së gjëndjes civile të Njësisë Bashkiake no.x, ku i kërkohej paisja me llojet e certifikatave të nevojshme për procedurën e filluar.
  • U Përgatit një letër tjetër e detajuar për mjekun e lagjes, së cilës ju bashkëngjitën dokumentat mjekësore të përkthyera dhe sqarime të tjera për E.E.
  • Të dy instancat e mësipërme u treguan bashkëpunuese dhe të të gatëshme për të ndihmuar E.E . 
  • E.E. u paraqit në KMCAP, duke ndjekur udhëzimet e TLAS, u klasifikua për të përfituar statusin e invalidit dhe si rezultat edhe ndihmën ekonomike mujore prej 8.700 lekë.

Klienti E.E. ishte një bashkëpunes shumë i mirë, inteligjent dhe kuptonte drejt të gjitha kriteret që duhen plotësuar, ishte i përpiktë dhe këmbngulës për të ndjekur udhezimet që TLAS i jepte. Prandaj dhe mbyllja me sukses e rastit të parë ishte një arritje e rëndësishme sepse ka një burim financiar për të mbijetuar.

1/b. Rasti tjetër i E.E. ishte strehimi i tij.

Ai flinte rrugëve, në vende të rastësishme. Si mund të ndihmohej?

E vetmja rrugë ligjore ishte evidentimi përmes regjistrimit zyrtar në listën e të pastrehëve. Regjistrimi në listë ishte i domosdoshëm, në rast të kundërt nuk do njihej si i pastrehë nga strukturat përkatëse të strehimit edhe pse regjistrimi në këtë listë nuk do të thoshte se përfiton menjëherë banesë.

Hapat që u ndërrmorrën:

  • Filluan procedurat për të qënë kryefamiljar, pra të veçohej nga trungu familjar si familje më vehte.
  • Plotësimi i formularit tip i përgatitur nga Bashkia e Tiranës.
  • Noterizimi i formularit dhe dorëzimi në zyrën e strehimit të Njësisë Bashkiake no.x, ku bëhet regjistrimi në database dhe janë të njohur zyrtarisht si të pastrehë nga Bashkia e Tiranës.
  • Ndërkohë duke ditur që realizimi i këtij hapi nuk zgjidhte shpejt gjëndjen e vështirë të strehimit të E.E, ai u rekomandua te shoqata e personave me aftësi të kufizuar, ADRIF, e cila mundi t’i sigurojë EE vend fjetje për disa muaj.

1/c. Rasti tjetër i E.E ishte vajza e tij e paregjistruar në gjëndjen civile

Sot vajza e tij jetonte në Greqi me prindërit e tij. Kjo vajzë kishte lindur nga një lidhje jashtë martese, kur E.E ishte në gjëndje të mirë shëndetësore. Nëna e vajzës ishte larguar nga shtëpia, duke e lënë vajzën në kujdesin e familjes së babait të fëmijës.
E.E kishte një çertifikatë të gjëndjes civile të fëmijës, të lëshuar nga një zyrë greke e gjëndjes civile.

Këshillat e dhëna:

  • Me këtë dokument fëmija nuk mund të regjistrohej.
  • Çertifikata duhet të vërtetohej nga Ministria e Brëndshme dhe Ministria e Jashtme e Greqisë dhe me tej duhet të legalizohej nga konsullara shqiptare në Selanik, atje ku kishte lindur fëmija.
  • Fëmija mund të regjistrohej vetëm nga nëna e saj, apo nga familja e nënës.

Hapat e ndërrmara:

  • TLAS kontaktoi me telefon me motrën e E.E. që jeton në Selanik duke i kërkuar asaj të zbatonte hapat e përmendura më sipër për legalizimin e çertifikatës së fëmijës.
  • Pas këtij hapi do gjëndet kontakti me nënën apo familjen e nënës së vajzë për t’u finalizuar regjistrimi i saj në gjëndjen civile.

Rasti vazhdon dhe Shërbimi Ligjor Falas Tiranë është i kënaqur që jeta e E.E. ka filluar të ndryshojë dhe të normalizohet.

Viti 2009 pati disa specifika në fushën e përzgjedhjes, trajtimit të rasteve apo të prioriteteve që ato duhet të zënë kur është fjala e nevojës për t’u përfaqësuar në Gjykatë. Si Avokate prej më shumë se 7 vjetësh në TLAS kam parë se këto prioritete kanë ndryshuar nga viti në vit, ato nuk kanë qënë statike por të larmishme. Ajo që ka qënë dhe mbetur e pandryshueshme është përzgjedhja e bazuar në shkallën e varfërisë së individit apo familjes që duhet përfaqësuar.Dhe për hir të së vërtetës, duke qënë se varfëria është përshkallëzuar në drejtimin negativ të boshtit, dhe kapaciteti i zyrës së TLAS është i limituar, është bërë shumë kujdes që të përzgjidhen rastet më ekstreme.

Dua të shkruaj në këtë histori të vërtetë një rast i cili përfaqëson një grup të tërë fëmijësh që tashmë nuk kanë nevojë të përfaësohen në gjykatë për regjistrim në gjëndje civile të lindjes së tyre, por kanë nevojë të përfaqësohen për përcaktimin e “kujdestarit” të tyre. A ka pas qënë nevoja e përfaësimit të këtij grupi rastesh dhe përse TLAS e konsideroi një nga prioritetet e vitit 2009?

Për shëmbull gjatë viteve 2007, 2008 regjistrimet e lindjeve të fëmijëve në regjistrin themeltar përmes gjykatës okuponin ngarkesën e punës së avokatëve të TLAS. Në vitin 2009, në kushtet kur ndryshimet në ligjin e gjëndjes civile ndikuan në uljen e ndjeshme dhe reduktimin e këtij fenomeni, TLAS filloi t’i kushtojë vëmëndje zhvillimeve të reja të cilat ekzistonin edhe më parë si cështje të nevojshme për t’u përfaqësuar në gjykatë.

Ndër partnerët tanë numërohen në vecanti institucionet rezidenciale të fëmijëve dhe të moshuarve. Në zyrën e TLAS shfaqën përfaqësuesit e Fshatit “SOS”, të cilët kërkuan ndihmë ligjore për nje grup rastesh të komlikuara të fëmijëve që janë të strehuar pranë kësaj qëndre rezidenciale. Rasti nga rasti ndryshon sepse dhe prejardhja e fëmijëve, apo shkaqet për të cilat fëmijët gjënden në këtë institucion janë të shumëllojshme. Unë po shtjelloj vetëm njërin prej tyre:

Pse fëmijët gjënden sot në Fshatin SOS?

Pra në Fshatin SOS u strehuan 3 fëmijët e familjes Z. Ata kishin mbetur jetim dhe pa përkahje. Të miturit janë me origjinë nga rrethi i Pukës, dhe familja e tyre e përbërë prej 6 anëtarësh jetonte prej dy vitesh në rrethin e Durrësit ku ishin zhvendosur për të siguruar kushte më të mira jetese. Si rezultat i një konflikti me armë të ndodhur me fqinjët e tyre kanë gjetur vdekjen tre prej gjashtë anëtarëve të familjes së tyre nëna, babai dhe një motër. Tre të miturit e tjerë të familjes Z ishin të pranishëm në vendin e ngjarjes ditën e tragjedisë. Fëmijët janë të moshave 8, 11 dhe 14 vjeç. Xhaxhai dhe tezja e të miturëve janë personat me të afërt për t’u kujdesur dhe për të marrë përgjegjësitë e prindërve në mungesë. Por kushtet sociale-ekonomike të tyre nuk plotësonin kërkesat minimale të nevojshme për rritjen e tre fëmijëve si dhe për edukimin e tyre.
Kjo situtaë i detyroi të afërmit të kërkojnë ndihmë nga TLAS për t’i sistemuar 3 jetimët pranë fshatit “SOS”.

Këtu fillon dhe përqasja apo trajtimi “holistic” ndaj këtij tipi cështjeje, që do të thotë si TLAS hap pas hapi fillon zgjidhjen në rrugë ligjore të drejtave të fëmijëve gjithmonë duke parë interesin më të mire e më të lartë të tyre.

Hapat e para të ndërrmara nga Këshilltari i TLAS:

  • U rekomanduan fëmijët në Fshatin SOS pasi u verifikua se fëmijët plotësonin kriteret e aplikimit në këtë institucion si atë të moshës, të mungesës së kujdestarisë, kushtet e rënda ekonomike, etj.
  • U tërhoqën të dhëna të familjes Z zyra e Gjëndjes Civile si certifikata familjare, martesore, të vdekjes, individuale të secilit prej fëmijëve, vërtetime të ndryshme që nuk përfitonin asnjë ndihmë ekonomike apo përkujdesje sociale, etj.
  • U ekzaminua shëndeti i fëmijëve përmes një sërë analizash të përcaktuara mjeksore. U tërhoq epikriza e historisë së mjekimit të fëmijëve nga mjeku i familjes për të parë historinë e shëndetit të tyre.
  • Fshati “SOS” mori vendimin të pranojë aplikimin dhe vazhdoi të vleresojë më tej kushtet ekonomike sociale të fëmijëve dhe të familjarëve të tyre.

Sot fëmijët jetojnë pranë Fshatit “SOS”, dhe janë përshtatur me mjediset dhe me edukatorët. Por Fshatit “SOS” i mungon një status ligjor kujdestarie, gjë që ligjërisht e pengon atë të realizoje në mënyrë të plotë të drejtat e të tre miturëve në raport me institucionet shtetërore, apo me të tretët. Në këto kushte përfaqësuesit e këtij institucionit u paraqitën në TLAS për të vazhduar bashkëpunimin përmes ndihmës ligjore.

Hapat e tjera të ndërrmarra nga avokati i TLAS:

Avokati i TLAS studioi me vëmëndje rastin konkret dhe Kodin e Familjes. Kodi parashikon se “vdekja e prindëreve të cilët ushtrojnë përgjegjësinë prindërore të femijës të tyre të mitur dhe pamundësia e të afërmëve për tu kujdesur përbën shkak kryesor për tu vlerësuar nga gjykata për vendosjen e të miturëve në kujdestari në një institucion të liçensuar për perkujdesje duke mbajtur në konsideratë interesin më të lartë të fëmijës”

Nisur nga kjo, dhe duke theksuar nenet 263 dhe 271 të Kodit të Familjes:
Nenin 263 të K. familjes në të cilën parashikohet se: “ Fëmijët e mitur vendosen në kujdestari dhe gëzojnë mbrojtje të veçantë nga shteti kur prindërit e tyre janë në pamundësi për të ushtruar përgjegjësinë prindërore, për shkak se të dy prindërit kanë vdekur ose nuk njihen, janë shpallur si të pagjetur, u është hequr përgjegjësia prindërore ose u është hequr zotësia për të vepruar, si dhe për çdo shkak tjetër të pranuar nga gjykata. Gjykatë kompetente për vendosjen në kujdestari të të miturit është ajo e vendbanimit ose vendqëndrimit të të miturit”.
Neni 271 i Kodit te Familjes “Kujdestaria mbi te miturin, i cili nu ka te aferm te njohur ose te afte per te ushtruar detyren e kujdestarit, mund ti jepet nga gjykata nje institucioni publik ose privat i licensuar per perkujdesjen e femijeve”

Avokati filloi menjëherë të plotësojë dokumentacionin që e kërkon procedura për të kërkuar kujdestarinë e fëmijëve përmes vendimit të gjykatës si:

  • Siguroi Vendimin e Komisionit Qëndror pranë Shërbimit Social Shtetëror
  • Siguroi Libreza anëtarësie të “Jetimit” për secilin nga fëmijët .
  • Siguroi Deklaraten Noteriale nga të afermit e femijeve.
  • Përiloi Kërkesë padinë dhe e paraqiti në gjykatë

Fëmijët janë në kushte të favorshme dhe intresi më i lartë i tyre është i përfaqësuar ligjerisht nga Fshati SOS.

Cifti P vjen nga komuniteti Rom. TLAS i ndihmoi gjatë 2003 dhe 2004 që ata të regjistrojnë në gjëndjen civile dy nga fëmijët e tyre, M dhe E. Ndërkohë nëna ishte përsëri shtatzanë. Nëna premtoi q fëjën e ardhshëm do ta regjistrionte pa qënë nevoja e procedurave në gjykatë. Dhe ajo u ndërgjegjësua dhe e mbajti premtimin.

Jeta është shumë mizore në disa raste, nëna e tre femijeve vdes në dhjetor 2008, për shkak të një sëmundjeje të rëndë, duke lënë tre fëmijë jetimët vetëm me të shoqin. Babai i fëmijeve ishte i papunë, i pastrehë dhe jo i gatshëm për mirëmbajtjen dhe mirërritjen e fëmijëve.

TLAS rekomandoi dhe ndërhyri, që për interesin e fëmijëve do ishte shumë më mirë që ata të sistemoheshin në Fshatin SOS. Babai pranoi që të dërgonte në institucion vetëm dy djemtë e tij, S dhe E., duke e veçuar vajzën e tij M., me arsyetimin që për vajzën do të kujdesej tezja e vajzës.

Në 7 Shtator 2009, grupi i punës i TLAS që organizon takime dhe shërbime mobile në komunitetet Rome, takon edhe vajzën e vogël në një oborr duke larë enë. Vajza M.ka kujtesë shumë të mirë dhe duket që është fëmijë i zgjuar, i njeh anëtarët e stafit të TLAS, se disa herë kishte shoqëruar nënën e saj në zyrë, në takimet me avokatët apo këshilltarët e TLAS, gëzohet pa masë dhe le punën e afrohet me dashamirësi.

M. është 9 vjeçe dhe kur u pyet cfarë bën përgjigjet: “punoj, laj enë, rroba, mbush ujë, mbaj bebin e N dhe tregon me gisht një grua me shumë fëmijë në oborrin e një barrake”.

Morrëm vesh se vajza nuk jetonte as me tezen, as me babain, por me një familje fqinjë, e cila e mbante për mëshirë sepse M. Shoqërohej me vajzën e tyre.
Kuptohet, ky ishte një gjest shumë fisnik i kësaj familjeje që edhe pse vet nuk arrinin të ushqenin tre femijët e tyre, edhe pse jetonte në kushte ekstreme të varfërisë, nuk refuzonte t’i prishte qejfin M., që ndihej e lumtur të jetonte me ta, ndërkohë që të afërmit dhe babai i saj, dukej që nuk tregonin kujdesin dhe dashurinë e mjaftueshme për të. Prandaj dhe M. Bëhej e dobishme për këtë familje duke u angazhuar me punët si të kujdesej për bebin, të mbushte ujë, të lante enët, etj.

Mësuam gjuithashtu që M. nuk kishte frekuentuar shkollën asnjëherë edhe pse ishte 9 vjeç, pra nuk dinte shkrim e këndim.
Kur e pyetëm a të pëlqen të shkosh në shkollë, asaj i ndritën sytë nga gëzimi.
Kur e pyetëm se çfarë dëshiron të bëhesh kur te rritesh, ajo u përgjigj: “Dua të bëhem mësuese”.
Kur e pyetem se përse dëshironte të bëhej mesuese, ajo u përgjigj: “Që të mësoj fëmijët Romë dhe të mos i rrah, nuk dua që ata të rrihen e të dalin për të lypur”.

Që nga ky takim, TLAS filloi të merrej me grumbullimin e dokumenteve dhe ndjekjen e procedurave për të vendosur M. e vogël në Fshatin SOS, për ta bashkuar atë me dy vëllezërit e saj, në mënyrë që ndoshta një ditë, edhe ajo të realizonte ëndrrat e saj.

Hapi i parë sigurisht ishte deklarata e miratimit nga ana e babait për ta vendosur vajzën në institucion. Koha kishte treguar se ai nuk ishte në gjendje të kujdesej për të. Më tej, TLAS vazhdoi punën për plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm, duke i krijuar kështu mundësi M, që të kishtë një të ardhme më të mirë.

Hapi tjetër për fëmijët M, S dhe E është sigurimi i kujdestarisë nga Fashti SOS, kjo për arsyen e thjeshtë që këta fëmijë tashmë në rrugën e mbarë të edukimit dhe m,irëmbajtjes mos të bëhen pre e tekave të një babai të papërgjegjshëm i cili një ditë mund të kujtohet dhe të kërkojë të nxjerri nag institucioni fëmijët e tij për qëllime përfitimi ose shfrytëzimi. Puna dhe kujdesi i TLAS me tre fëmijët vazhdon.

Një grup shumë i gjërë rastesh të trajtuara nga TLAS gjatë vitit 2009 i përkasin korregjimit dhe saktësimit të të dhënave personale të individëve vulnerabël. Dihet që të dhënat personale të njeriut kanë rëndësi parësore për të gëzuar të drejtat themelore për tu mos u bërë “preh” e shfrytëzimit, abuzimit apo tjetërsimit.

Rasti i klientes MB, e cila i përket komunitetit Rom është një nga rastet më të ndërlikuara të paraqitura dhe të suksesshme të paraqitura në TLAS.

Cfarë kërkonte MB nga TLAS?
MB ka lindur dy fëmijë gjatë emigrimit të paligjshëm në Greqi në kushte tejet të vështira ekonomike dhe jashtë institucioneve shtetërore pa patur asnjë kontakt me mjekët, për shkak edhe të frikës së autoriteteve greke dhe përzënies nga ai shtet.

TLAS gjykon se e vetmja rrugë për të arritur regjistrimin e lindjes së fëmijëve të MB ishte rruga gjyqësore sipas rregullave të përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile dhe ligjin për gjendjen civile.

Procesi gjyqësor parashikohej kompleks dhe i vështirë, kërkonte një sërë provash jo të drejtëpërdrejta që të vërtetonin faktin e lindjes së fëmijëve të M.B si:

  • Vërtetimet nga mjeku i familjes në qendrën shëndetësore të lagjes ku jeton klientja.
  • Vërtetim prej kryeplakut, i cili duhet të vërtetojë që është banore e zonës që ai mbulon dhe që ka fëmijë për të cilët kujdeset.
  • Dëshmitarë që kanë asistuar në castin kur M.B ka lindur e fëmijët.
  • Paraqitet kërkesë padia në gjykatë nga avokati i TLAS
  • Gjykata pranon kërkesën dhe vërteton faktin e lindjes së fëmijëve
  • Por vendimi i gjykatës nuk ishte i plotë dhe i saktë. Gjykata nuk ishte shprehur saktësisht për shkak të mungesës së të dhënave themelore të fëmijëve. Në vendimin e Gjykatës përfshiheshin emri, ditëlindja, seksi, mëmësia dhe mungonte vendlindja e fëmijëve.
  • Vendlindja konsiderohet si e dhënë e rëndësishme sipas ligjit për gjendjen civile dhe si rrjedhim zyra e gjendjes civile nuk mund të realizojë regjistrimin e fëmijëve në këto regjistra duke patur si mungesë këtë të dhënë.
  • TLAS vendos t’i drejtohet Gjykatës me një kërkesë të dytë, për ndreqjen e gabimit te vendimit të mëparshëm të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.Në bazë të nenit 312 i Kodit të Procedures Civile, gjykata duhet të ndreq pasaktesinë e dukshme të vendimit të dhënë, pasi ky vendim përmbante pasaktësi dhe është i vështirë për t’u zbatuar prej kërkueses.
  • TLAS e bazon kërkesën e dytë në gjykatë edhe në bazë të ligjit nr. 8950 dt 10.10.2002 “Për gjendjen civile” ku theksohet se përbërësit e gjendjes civile janë: emri, mbiemri, datëlindja, vendlindja, vendbanimi, seksi, raportet mëmësi dhe atësi, vdekja etj. Mungesa e kësaj të dhëne e bën këtë vendim të pazbatueshëm prej zyrës së gjendjes civile dhe si rrjedhim fëmijët nuk mund të regjistrohen në regjistrin e saj.

Pas shumë seancave të tjera gjyqësore, më së fundi gjykata pranoi kërkesën e dytë për ndreqjen e gabimit të vendimit të vërtetimit të faktit të lindjes së fëmijëve, duke e korigjuar atë me saktësimin e vendlindjen së fmijëve. Por u desh që provat e paraqituara në gjyqin e meparshëm të ripërsëriteshin në mënyrë të drejtëpërdrejtë për herë të dytë, gjë qe i kushtoi kohë, kosto dhe mund të dyfishtë stafit të TLAS.

Të dy fëmijët u regjistruan në regjistrat e gjendjes civile me të dhënat e plota të kërkuara prej ligjit, i lindi e drejta të kërkojnë certifikata personale prej kësaj zyre dhe të përfitojnë nga programet sociale, ekonomike, shendetsore dhe edukative.

Klientja Q.B erdhi së bashku me vajzën e saj L.H. Të dyja madhore dhe nga komuniteti Rom. Ato kishin një problem ligjor, nuk kishin mundësi ekonomike për të patur një avokat, pasi ishin të papuna dhe nuk kishin asnjë të ardhur financiare.

Q.B përpara 20 vjetëve kishte lindur një fëmijë të seksit femër të cilën e kishte quajtur L.H. Kushtet në të cilat e kishte lindur fëmijën, ishin jashtë institucionit shëndetësor, pasi së bashku me bashkëshortin në atë kohë (babain e vajzës) ishin zhvendosur nga një vendbanim në tjetrin.

Q.B nuk kishte bërë regjistrimin në gjendjen civile të lindjes së vajzës, pasi nuk dispononte një dokument dokument që të vërtetonte lindjen e vajzës. Në këto kushte për më shumë se 20 vjetë vajza e saj, LH ka mbetur e paregjistruar në regjistrat themeltar të gjendjes civile dhe nuk ka frekuentuar shkollën pra është analfabete. Nga ana tjetër tashmë L.H bashkëjeton me një burrë me të cilin ka bërë tre fëmije që kanë mbetur të paregjistruar si pasojë e mosregjistrimit të nënës së tyre.

Në këto kushte avokati i TLAS filloi menjëherë procedurat gjyqësore për regjistrimin së pari të L.H, që është nëna e paregjistruar e tre fëmijëve të mitur. Pastaj të tre fëmijëve të saj përkatësisht 6, 4 dhe 3 vjec. Viti 2009 ishte një vit i mbarë për identuifikimin e familjes se LH, e cila pati disa përfitime të rëndësishme nga finalizimi me sukses i regjistrimit të lindjeve në gjëndjen civile si:

LH si kryefamiljare tashme ligjërisht me tre fëmijë në regjsitrat e gjëndjes civile të Njësisë no.7, plotëson kriteret për tu klasifikuar si përfituese e Ndihmës ekonomike.
LH si kryefamiljare filli proceduarat e strehimit per të qëne në listat e Bashkisë së Tiranës dhe tashmë konsiderohet kandidate e ligjshme për banesat sociale në të ardhmen.
LH si kryefamiljare u regjistrua në zyrën e punësimit si kusht i domosdoshëm për pritmërine dhe për vazhdimësinë e ndihmës ekonomike
LH aplikoi për të futur dy fëmijët e vegjel në kopshtin shtetëror, e drejtë e cila i ishte mohuar në kushtet e mos identifikimit.
LH regjistroi fëmijën e madh në një kurs parashkollor të organizuar nga Terre Des Home ne komunitetin e saj.

LH u ndërgjegjësua për veprime që i japin asaj dhe fëmijëve të saj përfitime të rëndësishme si e drejta për përkujdesje sociale, e drejta për strehim, per arsimim apo punësim, dhe që të lypurit mund të sigurojë bukën e ditës, por nuk duhet të konsiderohet si mjet për të rritur fëmijët e saj.
LH mësoi se integrimi i familjes së saj në shoqëri fillon nga evidentimi i familjes së saj për të kërkuar punë, strehim, edukim, shërbim, etj
LH ka rekomanduar shumë moshatare të sajat që kanë pothuaj probleme ligjore të ngajshme dhe që atni janë klientë të TLAS.

Edhe pse është një kategori shumë e vështirë për tu trajtuar, TLAS tashmë nuk mund të refuzojë apo mbylli derën për klientë vulnerabël si LH, ato mbeten prioritet.