Publikohet indeksi i pashtetësisë për Shqipërinë

24 Mars 2021

NJOFTIM PËR SHTYP

SHQIPËRIA DUHET TË PREZANTOJË NJË PROCEDURË TË DREJTË DHE TË AKSESUESHME PËR TË IDENTIFIKUAR DHE MBROJTUR ATA QE JETOJNË PA SHTETËSI

Të jesh pa shtetësi do të thotë të mos konsiderohesh si shtetas nga asnjë shtet. Personat pa shtetësi shpesh shtyhen në kufijtë e shoqërisë. Atyre u mohohen të drejtat themelore që shumë prej nesh i marrin si të mirëqena: të shkojnë në shkollë, të punojnë, të martohen, të regjistrojnë lindjen e një fëmije, të ekzistojnë ligjërisht.

Sot, të dhënat e reja për Shqipërinë të botuara si pjesë e një projekti kërkimor pan-Evropian të quajtur "Indeksi i Pashtetësisë" zbuluan se pavarësisht nga detyrimet e saj sipas ligjit ndërkombëtar, Shqipërisë ende i mungon një procedurë e dedikuar për të identifikuar dhe mbrojtur zyrtarisht personat pa shtetësi në territorin e saj. Një projektligj i cili prezanton një procedurë të tillë po kalon aktualisht në Parlament. Analiza e Indeksit të Pashtetësisë tregon se miratimi i ligjit do ta sillte Shqipërinë në përputhje me vendet e tjera si Franca, Spanja, Mbretëria e Bashkuar dhe Italia.

Në një përpjekje për të parandaluar që fëmijët të lindin pa shtetësi, Shqipëria gjithashtu është zotuar të adresojë boshllëqet e mbetura në kuadrin ligjor dhe ka ndërmarrë hapa të fundit për të parandaluar dhe zvogëluar rrezikun e pashtetësisë. Ligji i ri për Shtetësinë Shqiptare që hyri në fuqi në vitin 2020 prezantoi një mbrojtje për fëmijët e lindur në territor të cilët përndryshe do të mbesnin pa shtetësi, duke plotësuar kështu masat mbrojtëse ekzistuese.

Autorja e kërkimit në Shqipëri Anisa Metalla nga Shërbimi Ligjor Falas në Tiranë tha:

“Prezantimi rishtazi i masave mbrojtëse në ligjin "Për Shtetësinë" për të parandaluar dhe zvogëluar pashtetësinë është një hap inkurajues në drejtimin e duhur. Shërbimi Ligjor Falas Tiranë, së bashku me Agjencinë e OKB për Refugjatët dhe Rrjetin Europian për Pashtetësinë, shpresojnë të punojnë ngushtë me Qeverinë për ta parë këtë të zbatuar në praktikë. Ne jemi gjithashtu në gatishmëri për të ndihmuar që të sigurohemi që propozimi i ri për një procedurë të përcaktimit të pashtetësisë është në përputhje me detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë dhe se ndjek shembuj të praktikës së mirë nga vendet e tjera".

 

Nina Murray, Shefe e Politikave dhe Studimeve si dhe koordinatorja kryesore e projektit ‘Indeksi i Pashtetësisë’ me qendër në Londër tha:

“Zhvillimet e fundit janë një provë se Qeveria Shqiptare tani ka një mundësi reale për të kthyer gjërat për të përmirësuar jetën e personave pa shtetësi në Shqipëri. Personat pa shtetësi shpesh si pasojë e pengesave, e shohin veten të paaftë për të rindërtuar jetën e tyre atje ku janë. Kjo është plotësisht e parandalueshme dhe Indeksi ynë u lançua si një thirrje veprimi për qeveritë për të respektuar detyrimet e tyre ndërkombëtare dhe për të zbatuar ndryshime të drejtpërdrejta për të zgjidhur këtë anomali ligjore një herë e përgjithmonë ".

Indeksi i Pashtetësisë është një mjet i aksesueshëm online që vlerëson qasjet e vendeve të ndryshme për adresimin e pashtetësisë. Indeksi mundëson krahasimin e drejtëpërdrejtë midis vendeve dhe kundër normave ndërkombëtare dhe praktikave të mira. Kjo i lejon përdoruesit të kuptojnë shpejt cilat fusha të ligjit, politikës dhe praktikës mund të përmirësohen nga shtetet dhe cilat mund të shikohen si shembuj të praktikës së mirë në adresimin e pashtetësisë.Përveç Shqipërisë, projekti i indeksit përfshin 26 vende të tjera: Austria, Bullgaria, Kroacia, Qipro, Franca, Gjermania, Greqia, Irlanda, Italia, Letonia, Malta, Republika e Moldavisë, Hollanda, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Zvicra, Serbia, Sllovenia, Spanja, Republika Çeke, Ukraina, Hungaria dhe Mbretëria e Bashkuar.

KONTAKTI PËR MEDIAN

Për informacione në lidhje me mediat, ju lutemi kontaktoni Avokaten e parë në organizatën Shërbimi Ligjor Falas Tiranë  (TLAS) Anisa Metalla në +355692093731 ose në email [email protected]

 

 

SHËNIME PËR REDAKTORIN

1. Shërbimi Ligjor Falas Tiranë (TLAS) është një nga organizatat kryesore në Shqipëri që merret me çështjen e pashtetësisë. TLAS ofron shërbime  të ndihmës juridike falas për mijëra fëmijë dhe të rritur pa shtetësi dhe ka punuar në vazhdimësi për përmirësimin e sistemit të regjistrimit të lindjeve në partneritet me qeverinë shqiptare. Misioni i TLAS është përmbushja e nevojave ligjore dhe sociale të të varfërve, arsimimi dhe ngritja e vetëdijes së shoqërisë shqiptare për shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut; iniciativa për përmirësimin e sistemit ligjor, zhvillimin e komunitetit dhe forcimin e demokracisë në Shqipëri.

2. European Network on Statelessness (ENS) është një aleancë e shoqërisë civile organizatash dhe ekspertësh të përkushtuar për të trajtuar pashtetësinë në Europë. ENS ka mbi 160 anëtarë në 41 vende dhe është i përkushtuar për t'i dhënë fund pashtetësisë dhe për të siguruar që rreth gjysmë milioni njerëz që jetojnë në Europë pa shtetësi të mbrohen sipas ligjit ndërkombëtar.

3. Pashtetësia është një anomali ligjore që prek mbi gjysmë milioni njerëz në Europë. Një person pa shtetësi është dikush që nuk gëzon asnjë shtetësi. Pavarësisht nga shkalla e problemit, vendet në të gjithë Europën kanë qasje shumë të ndryshme për t'u marrë me pashtetësinë që do të thotë se aktualisht nuk ka një qasje të qëndrueshme, të qartë ose gjithëpërfshirëse për identifikimin e atyre pa shtetësi ose parandalimin e rasteve të reja të pashtetësisë që lindin midis fëmijëve të lindur në territorin e tyre .

4. Të dhëna të reja për Shqipërinë janë të disponueshme si pjesë e Indeksit të Pashtetësisë nga 24 Mars 2021 në https://index.statelessness.eu/country/albania

5. Bazuar në të dhënat e Censusit të Popullsisë të vitit 2011, 7,443 persona u identifikuan si pa shtetësi. Një studim i fundit për hartëzimin, përfshirë fëmijët në rrezik pa shtetësie, u krye nga UNHCR dhe TLAS (2018), i cili identifikoi 1031 persona të tjerë në rrezik pashtetësie.