Rreth TLAS

AKTIVITETI I SHERBIMIT LIGJOR FALAS TIRANE (TIRANA LEGAL AID SOCIETY – TLAS) NE VITE 1999 - 2022

I. HYRJE

Shërbimi Ligjor Falas Tiranë (TLAS) e ka filluar veprimtarinë e tij në Janar të vitit 1999 si program i CAFOD Albania, deri në 18 Dhjetor 2006, datë kur TLAS u regjistrua si organizatë jo fitimprurëse e pavarur në formën e Qendrës.

TLAS, si një strukturë modeste por me një vizion dhe mision të rëndësishëm, së bashku me aktorë të tjerë qeveritarë dhe jo qeveritarë është përpjekur dhe do të vazhdojë të përpiqet të krijojë një realitet tjetër në funksion të zhvillimeve të mëtejshme pozitive në Shqipëri.

Vlerat e TLAS: Prurja e ndryshimeve të reja nëpërmjet besimit, respektit, shërbimit dhe bashkëpunimit me të tjerët.

Vizioni i TLAS: Ndërtimi i një sistemi ligjor falas të ri dhe bashkëpunues që i përgjigjet nevojave të personave me të ardhura të pamjaftueshme.

Misioni i TLAS: Përmbushja e nevojave sociale dhe ligjore të njerëzve në nevojë: edukimi dhe ndërgjegjësimi i shoqërisë shqiptare për shtetin ligjor dhe të drejtat e njeriut; nxitja e përmirësimeve në legjislacionin shqiptar; përparimi i komunitetit dhe forcimi i demokracisë në Shqipëri.

Objektivat e TLAS: 

  1. Ofrimi i shërbimeve ligjore për njerëzit dhe grupet në nevojë;
  2. Ndërgjegjësimi i shtresave në nevoje dhe publikimi i informacioneve për çështje të rëndësishme ligjore dhe të të drejtave të njeriut;
  3. Ndërmarrja e nismave ligjore për përmirësime të legjislacionit për një zgjidhje sa më të mirë të çështjeve ligjore dhe sociale të njerëzve në nevojë. 

OBJEKTIVI 1

Metodologjia e Shërbimit thelbësor Ligjor Falas është të ofrojë një sërë shërbimesh që përfshijnë informimin, edukimin, këshillimi dhe përfaqësimin ligjor të personave në nevojë. Kjo metodologji përbëhet nga:

Ofrimi i shërbimeve:

  • Shërbime Paraligjore (zgjidhjen e çështjeve ligjore në rrugë administrative);
  • Shërbime Ligjore (zgjidhjen e çështjeve nëpërmjet procedurave gjyqësore);
  • Shërbimi Lawline (këshillim ligjor nëpërmjet telefonit);
  • Clinics (përgatitja ligjore e klientëve për përfaqësimin e tyre përpara organeve shtetërore);
  • Ndërmjetësimi (zgjidhje alternative e mosmarrëveshjeve); 
  • Shërbime të Lëvizshme (Mobile)(shërbime ligjore të ofruara ndaj klientëve me mundësi të kufizuara).

OBJEKTIVI 2

Ndërgjegjësimi i shtresave në nevoje dhe publikimi i informacioneve për çështje të rëndësishme ligjore dhe të të drejtave të njeriut. Ky objektiv do të arrihet nëpërmjet:

  • Aktivitetet e Street Law  (informimi, edukimi dhe ndërgjegjësimi ligjor i komunitetit) TLAS organizon vizita dhe takime të tipit street Law (edukimit dhe ndërgjegjësimit ligjor të komunitetit) në zonat rurale dhe periferitë e qyteteve dhe publikon botime të ndryshme ligjore për këto aktivitete të shkruara në një gjuhë të thjeshtë për përdorim publik. 
  • Programi Internship me Studentët (Studentët e Fakultetit të Drejtësisë dhe të Shkencave Sociale janë përfshirë në këtë program nëpërmjet pjesëmarrjes në aktivitetet e ndërgjegjësimit dhe të informimit të tipit Street Law, shërbimeve të lëvizshme menaxhimit të rasteve të klientëve dhe aktiviteteve të tjera specifike. 
  • Forcimi i organizatave që kanë si anëtarë, grupet e synuara të TLAS. Kjo përfshin regjistrimin e organizatave jofitimprurëse lokale; seminare trainimi për forcimin e kapaciteteve ligjore të OJF-ve lokale; seminare trainimi për nëpunësit e strukturave shtetërore; seminare trainimi për punonjësit e administratës gjyqësore dhe gjyqtarët).

OBJEKTIVI 3  

Ndërmarrja e nismave ligjore për përmirësime të legjislacionit për një zgjidhje sa më të mirë të çështjeve ligjore dhe sociale të njerëzve në nevojë. Këtu përfshihen aktivitetete:

  • Monitorimit të sistemit ligjor, si për shembull Raporti për nivelin e korrupsionit në Sistemin e Noterisë, raporti për aktivitetet e Zyrave të Përmabrimit në Shqipëri, Raporti për veprimtarinë e Administratës Gjyqësore, Raporti për nivelin e kënaqësisë së përdoruesve të gjykatave, etj). 
  • Nismat për hartimin e ligjeve të reja dhe ndryshimet e nevojshme të legjislacionit ekzistues.Ekspertët e TLAS kanë hartuar ndryshimet e ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave; ndryshimet e ligjit “Për Gjendjen Civile” në lidhje me regjistrimin e lindjeve; hartuan ndryshime të legjislacionit për të burgosurit jo-politikë, për efekt të njohjes së viteve të tyre të punës në burg; ndryshime të akteve nënligjore për përfshirjen e nënave kryefamiljare në skemat e përfitimeve sociale; për pensionin për invalidët e ushtrisë, etj. Një nga sukseset më të mëdha ishte hartimi dhe miratimi i Ligjit “Për Ndihmën Juridike” dhe amendimi i ligjit “ Mbi ndihmën ekonomike dhe shoqërore”
  • Avokati dhe lobim për miratimin e akteve ligjore të hartuara nga TLAS, duke lobuar në strukturat shtetërore.

II. VLERESIMI I PROJEKTIT TE TLAS

Aktiviteti i TLAS është shqyrtuar dhe vlerësuar rregullisht nga konsulentë të jashtëm të pavarur, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar. Janë bërë gjashtë Raporte Vlerësimi në një periudhë kohore prej tetë vjetësh duke filluar nga eksperti Tony Trott, i Ndihmës Ligjore në Mbretërinë e Bashkuar; Richard Langan i Universitetit të Columbia, SHBA; Bruce Perrone dhe Barbara Bays nga Ndihma Ligjore e Virxhinias Perëndimore, SHBA; Rosemary French dhe Marie Contreras nga Instituti Benchmark i San Francisco, Daniel Manning, Greater Boston Legal Services, SHBA; përfaqësues të Bashkimit Europian, etj. Aktualisht, aktiviteti i TLAS bazohet në Planin Strategjik 2010-2013 dhe është përqëndruar në:  1) Shërbimet ndaj klientëve; 2) fushatat e ndërgjegjësimit të komunitetit për akses më të mirë në të drejtat ligjore; 3) fushata avokatie dhe lobimi për përmirësime ligjore dhe politika sociale; 4) trainime të stafit dhe ngritjen e fondeve.

Raportet Vjetore të TLAS publikohen çdo vit në formë të shtypur dhe atë elektronike dhe i shpërndahen të gjithë aktorëve kryesorë të fushës. 

Auditorët e Pavarur përgatisin çdo vit Raporte Auditimi për TLAS. Këto Raporte i dërgohen donatorëve dhe personave të interesuar.

Auditorë të huaj: TLAS auditohet nga auditues të huaj çdo vit si, Fabel, Werner dhe & Schnittke, BDO Jordan, BDO UK etj.

Puna e TLAS është e dokumentuar mjaft mirë, pasi në vitin 2000 TLAS instaloi një Program Kompjuterik me Bazë të Dhënash “Kemp’s Case Works”, i cili përdoret nga shumë Shoqëri të Ndihmës ligjore në të gjithë botën. Programi mbledh të dhënat dhe prodhon raporte profesionale duke pasqyruar çdo hap të punës së TLAS me klientët.